Sign In

Blog

Latest News
Robotët gazetarë: Revolucioni në mediat!

Robotët gazetarë: Revolucioni në mediat!

“Springer Verlag”, ku përfshihet gazeta Bild, njofton redaktorët se detyrat e tyre do të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale.

A po tregon chatbot-et fundin e përmbajtjeve mediale të krijuara nga njeriu?

Shtëpia më e madhe e Europës, Axel Springer, synon të zëvendësojë disa detyra redaksionale përmes inteligjencës artificiale, IA. Në një E-mail më 19 qershor të dërguar tek gazetarët, Springer bëri të ditur, se duhet “të ndahemi nga kolegët tanë, që kanë detyra që në botën digjitale do të zëvendësohen nga IA dhe/ose procese. Fjalë vjen për drejtues redaksish, gazetarë, korrektorë, sekretare dhe redaktorë të fotove.

Ulja e vendeve të punës në shtëpinë botuese “Springer Verlag”, pjesë e të cilës janë edhe gazeta Bild dhe “Die Welt” ka shtuar frikën, se Inteligjenca Artificiale, IA në të gjithë botën do të përhapet si një uragan në botën e medias. Chatbot-e si ChatGPT mund të përdoren në të ardhmen për verifikimin e lajmeve dhe me këtë mund të zëvendësojnë gazetarët.

IA ka thyer kulturën tonë

“Për herë të parë makineria vetë krijon gjuhë”, thotë një nga gazetarët më të njohur të pavarur gjermanë, Ranga Yogeschwar. Në konferencën ndërkombëtare të medias, Global Media Forum të Deutsche Welles në Bonn, Yogashwar foli për atë se si IA po ndryshon mënyrën e krijimit të përmbajtjeve. “Makineria ka thyer kulturën tonë, civilizimin tonë”, thotë Yogeshwar.

Sipas raportit të Insitutit Reuters, Digital News Report viti 2023 mund të jetë “viti i kthesës për IA dhe përdorimin e saj në gazetari”. Sipas këtij raporti, instrumentet e transkiptimit janë që tani pjesë e punës së redaksi. Shumë Newsrooms përdorin IA për përzgjedhjen e historive, që iu rekomandojnë përdoruesve, për titujt nëntekst. Disa media eksperimentojnë përtej kësaj me folës virtualë. Dhe aplikacione si “Artifact” u ofrojnë lexuesve përmbajtje të përmbledhura nga IA të teksteve online të portaleve të lajmeve.

IA lehtëson punën e gazetarëve

Aspekti pozitiv: IA mund të marrë detyra rutine dhe t’i lërë gazetarëve të merren me hulumtime, investigime, reportazhe dhe analiza më thellësore. “Mendoj se do të shohim më shumë qendra të vogla të prodhimit të lajmeve që janë në gjendje të luajnë në ligën e të mëdhenjve”, thotë Nilesh Christopher, korrespondent për Azinë jugore të “Rest of the World”, një portali lajmesh që merret me efektet e teknologjive të reja në shoqëri. Sipas tij vetëm gazetarët mund të jenë në gjendje të japin kontekstin e lajmit. Njeriu është mbi IA kur vjen puna për kreativitet, mendim kritik dhe aftësi gjykuese etike. “Gazetari do të vazhdojë të jetë në qendër. Ne nuk mund të zëvendësohemi.”

IA prodhon lajme të rreme

“Ne kemi një instrument të ri, që mund të përshpejtojë procese të caktuara”, është i mendimit edhe gazetari Ranga Yogashwar. “Me IA kemi një katalizator, që do të prodhojë më shumë përmbajtje se mundemi të prodhojmë ne njerëzit.” Por këto përmbajtje mund të jenë të gabuara ose të falsifikuara. “Tani nuk mund t’u besojmë më përmbajtjeve.” Kjo nuk vlen vetëm për lajmet e tanishme, por edhe për lajmet e së kaluarës. “IA mund të ndryshojë vërtetë historinë, dhe kush do ta verifikojë këtë?”. Sipas Yogeshwar politika duhet të rregullojë Intelgjencën Artificiale, para se të tronditen themelet e shoqërive demokratike.

Shumë gazetarë shpresojnë që përdoruesit do të mbajnë veten larg historive të trilluara nga kompjuterët. Dhe në vend të kësaj të dëgjojnë raportime, të shohin dhe të lexojnë atë që rrëfejnë vetë njerëzit. Por edhe nëse kjo ndodh, mijëra redaktorë do të kenë humbur punën e tyre. /DW


Hello.al

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *