SHBA Kërkon TikTok-u: Shes ose Përballesh me Bllokim!
Autoritetet amerikane kanë kërkuar që pronarët kinezë të TikTok-it të shesin aksionet e aplikacionit, përndryshe ka rrezik që të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkesa erdhi nga Komiteti i Investimeve të Huaja në Shtetet e Bashkuara, i udhëhequr nga Departamenti i Thesarit, siç raportoi Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.
Raportohet se kjo paraqet një “ndryshim të madh” në politikën e autoriteteve amerikane kundër TikTok-ut.
Në raportim thuhet se 60 për qind e aksioneve të kompanisë pronarë të TikTok-it, ByteDance, janë në pronësi të investitorëve globalë, 20 për qind janë në pronësi të punonjësve dhe 20 për qind në pronësi të themeluesve.
TikTok-i u përgjigj duke thënë se kërkesa për shitje nuk do të trajtojë rrezikun e perceptuar të sigurisë.
“Nëse synimi është mbrojtja e sigurisë kombëtare, shitja e aksioneve nuk e zgjidh problemin: Ndryshimi në pronësi nuk do të impononte ndonjë kufizim të ri në rrjedhën e të dhënave ose qasjen,” tha në një deklaratë zëdhënësja e TikTok-it, Brooke Oberëetter.
“Mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet në lidhje me sigurinë kombëtare është me mbrojtjen transparente në Shtetet e Bashkuara të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve amerikanë, me monitorim, verifikim dhe verifikim të fuqishëm nga palët e treta, të cilat ne tashmë po i zbatojmë,” shtoi ajo.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar mbi raportimin.
Pasi u lëshua në vitin 2016, aplikacioni për shpërndarjen e videove i cili është në pronësi kineze u bë shumë i popullarizuar në të gjithë botën, duke arritur në 755 milionë përdorues globalë në vitin 2022.
Dy të tretat e adoleshentëve amerikanë janë aktualisht përdorues të TikTok-ut.
Hello.al