Saga Musk-Twitter: Sfida për Llogaritë e Rreme
Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, provokon drejtuesin e kompanisë Twitter, Parag Agrawal, duke i kërkuar një diskutim publik rreth përqindjes së llogarive të pavërteta në platformën e rrjetit social.
“Të tregojë para audiencës se Twitter-i ka më pak se 5% në ditë përdorues të pavërtetë!”
Gjithashtu, Musk filloi një sondazh duke i pyetur përdoruesit e rrjetit nëse më pak se 5% e përdoruesve të përditshëm në Twitter janë të rremë.
Tre ditë më parë, Twitter-i hodhi poshtë një pretendim se Musk u mashtrua për nënshkrimin e një marrëveshjeje prej 44 miliardë dollarësh, për të blerë kompaninë.
Top Albania Radio shkruan se më herët, më 29 korrik, Elon Musk ngriti kundërpadi ndaj rrjetit Twitter, duke përshkallëzuar betejën ligjore kundër kompanisë, lidhur me ofertën e tij për të tërhequr nga marrëveshja për blerjen e Twitter-it.
“Nëse kompania ofron të dhëna rreth metodës që përdor për të konfirmuar se llogaritë janë reale, atëherë marrëveshja ime për ta blerë do të vazhdojë, mbi bazën e kushteve fillestare”.
Në korrik, Twitter konfirmoi se e sokoti miliarderin Elon Musk, duke kërkuar ta detyrojë të përfundojë blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kësaj platforme të rrjeteve sociale. Po në korrik, kreu ekzekutiv i Tesla-s pati njoftuar tërheqje nga marrëveshja e arritur në prill, për blerjen. Si shkak, përmendi dështimin nga Twitter-i për t’i dhënë informacion të mjaftueshëm mbi numrin e llogarive false në këtë platformë.
Në padi, thuhet se “Musk refuzon të respektojë detyrimet ndaj Twitter-it dhe përfaqësuesve të kompanisë, sepse marrëveshja që ka nënshkruar, nuk i shërben më interesave të tij personale”.
Twitter e dorëzoi padinë në një gjykatë në Delauer, që shpesh merret me mosmarrëveshje biznesi mes firmave të mëdha. Kur në muajin prill të këtij viti, Musk ofroi që ta blinte kompaninë, bordi i saj e kundërshtoi fillimisht idenë, por më pas ra dakord e dha miratimin. Më 25 prill, Twitter njoftoi se vendosi t’ia shesë kompaninë miliarderit Musk, për 54.20 dollarë për aksion. Musk u zotua se do të hiqte disa prej kufizimeve të lirisë së shprehjes e do të largonte llogaritë e rreme.
Hello.al