Censura interneti: Inteligjenca artificiale kundër kufizimeve
Dy shkencëtarë të informatikës në Universitetin e Merilendit kanë krijuar një sistem të ri të inteligjencës artificiale që ndihmon për të zbuluar dhe shmangur censurën e internetit në vendet me shtypje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh raporton.
Qeveritë shtypëse në mbarë botën monitorojnë dhe kontrollojnë materialet e internetit që u dërgohen dhe pranohen nga qytetarët e tyre.
Përpjekja për të shmangur një censurë të tillë është një proces i ngadaltë dhe i vështirë. Shpesh, studiuesit duhet të kërkojnë mënyra për ta anashkaluar atë.
Por shkencëtarët e informatikës në Universitetin e Merilendit kanë krijuar një program të inteligjencës artificiale të quajtur Gjeneva, që kupton se si përdoret teknologjia e censurimit dhe përshtatet në kohë reale për ta anashkaluar atë.
“Unë mendoj se Gjeneva e ndryshon këtë lojë, sepse më në fund lejon faqet të reagojnë shumë, shumë shpejt ndaj ndryshimeve në censurë”, shpjegon Dave Levin në Universitetin e Merilendit.
Informacioni në internet ndahet në një mori të dhënash nga kompjuteri i dërguesit që ribashkohen nga kompjuteri marrës. Regjimet represive monitorojnë paketat e të dhënave dhe bllokojnë kërkesat që përmbajnë fjalë të caktuara ((si Sheshi Tiananmen në Kinë)) ose faqe të ndaluar siç është “Wikipedia” në shumë vende.
Gjeneva reagon automatikisht për të anashkaluar këtë lloj censurimi në disa mënyra.
“Një mënyrë, mund ta bëjë censuruesin të mendojë se, ‘nuk është diçka që duhet censuruar, është informacion i përshtatshëm, ose e mashtron censuruesin të mendojë se e prishi lidhjen, e ndërpreu komunikimin, kur në fakt nuk e ka bërë vërtet”, shpjegon Dave Levin.
Për shembull….
“Rreth një vit më parë, Kina vendosi një sistem krejtësisht të ri censurimi për të provuar të ndërpresë lloje të veçanta të komunikimeve të sigurta. Programit tonë iu desh vetëm rreth një orë për të gjetur mënyra për ta anashkaluar atë”, thotë Kevin Bock në Universitetin e Merilendit.
Për më tepër, përdoruesve nuk u duhet të instalojnë programin. Ai mund të funksionojë në sfondin e një aplikacioni.
“Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse do të thotë se njerëzit mund t’i shmangen censurës pa pasur nevojë të marrin përsipër ndonjë rrezik për të instaluar programin”, thotë Dave Levin/ VOA/
Hello.al